Më 24 dhe 25 shtator, Fondacioni Shqiptar i Garancive për Zhvillim (ADGF) mirëpriti në Durrës një workshop rajonal të institucioneve të garancisë së kredive në Ballkanin Perëndimor, të organizuar së bashku me Fondin Kosovar për Garanci Kreditore (Kosovo Credit Guarantee Fund – KCGF) dhe Serbian Entrepreneurship Foundation (SEF).
KfW, në rolin e Partnerit të Zhvillimit, ishte gjithashtu pjesë e rëndësishme e programit dhe diskutimeve, përfshirë çështje që lidhen me EU/KfW Western Balkans Guarantee Programme dhe hapat e ardhshëm për forcimin e bashkëpunimit rajonal.
Në hapje të workshop-it mori pjesë edhe Dr. Iven Schad, Drejtues i Bashkëpunimit për Zhvillim pranë Ambasadës Gjermane në Tiranë.
Ky workshop, në edicionin e tij të dytë, u zhvillua këtë vit në Shqipëri, pas edicionit të parë të organizuar nga KfW në Kosovë në vitin 2025. Takimi mblodhi sërish së bashku përfaqësuesit e institucioneve partnere për të diskutuar zhvillimet gjatë vitit të fundit, sfidat e përbashkëta dhe mundësitë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit rajonal.
Përgjatë dy ditëve, pjesëmarrësit prezantuan zhvillimet kryesore të institucioneve të tyre dhe diskutuan mbi performancën e portofolit, produktet dhe programet e reja të garancisë, zhvillimet institucionale dhe sfidat e përbashkëta. Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve iu kushtua gjithashtu zbatimit të EU/KfW Western Balkans Guarantee Programme dhe përgatitjes së një propozimi të përbashkët rajonal.
Diskutimet vijuan me fokus te zhvillimi i bashkëpunimit rajonal, forcimi i kapaciteteve dhe krijimi i mekanizmave të përbashkët për shkëmbimin e njohurive. Workshopi krijoi gjithashtu një hapësirë për dialog mbi bashkëpunimin ekonomik dhe rolin e institucioneve të garancisë së kredive në mbështetjen e bizneseve në rajon.
Përmes këtij organizimi, ADGF vijon të kontribuojë në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, shkëmbimin e ekspertizës dhe ndarjen e praktikave mes institucioneve të garancisë së kredive në Ballkanin Perëndimor.














