Më 14 dhjetor 2020, Albanian Development Guarantee Foundation (ADGF) nënshkroi marrëveshjen e financimit për një grant prej 6.8 milionë euro të vënë në dispozicion nga Qeveria Gjermane, nëpërmjet Bankës Gjermane për Zhvillim, KfW, për mbështetjen e sektorit privat për të luftuar efektet e pandemisë COVID-19.
Fondet e siguruara nga qeveria gjermane do t’i shtohen Dritares së Ndihmës për COVID-19 të ADGF dhe do të nxisin aksesin në financim për MSME-të shqiptare në formën e një garancie kredie përmes bankave vendase dhe institucioneve financiare jobankare. Dritarja e Ndihmës për COVID-19 do të garantojë kapitalin punues për MSME-të, kreditë për investime dhe/ose likuiditetet afatshkurtra në përputhje me nevojat e biznesit. Këto fonde do të mbështesin bizneset për të kapërcyer krizën në planin afatshkurtër dhe do të lejojnë investime shtesë, si dhe do të forcojnë MSME-të shqiptare dhe do të nxisin punësimin në terma afatmesëm dhe afatgjatë.
Aktualisht, ADGF është partnere me 5 banka lokale si dhe me 4 institucione financiare jo-bankare. Që nga themelimi i saj, ADGF ka garantuar një numër total prej 7500 kredish për një shumë totale prej 30 milionë euro. Këto kredi kanë kontribuar në krijimin e rreth 4200 vendeve të reja të punës, si dhe kanë ruajtur 6800 vende ekzistuese.